Asset Publisher
Kush ishte Konrad Adenauer?
Asset Publisher
Kartela personale:
Konrad Adenauer, 1876 - 1967
1917-1933: Kryetar i Bashkisë së Këlnit
1945- : Kryetar i Bashkisë së Këlnit
1945-1966: Themelues dhe udhëheqës i Unionit Kristian-Demokrat Gjerman (CDU)
1949-1963: Kancelar i Republikës Federale Gjermane
1951-1955: Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Federale Gjermane
Origjina, lindja dhe vitet e para
Konrad Adenauer lindi më 5 janar 1876 në qytetin e Këlnit. Babai i tij, Konradi, ishte një nëpunës qeveritar i nivelit të mesëm. Nëna e tij, Helene Scharfenberg, gjithashtu rridhte nga kushte të përafërta. Me dy vëllezër më të mëdhenj dhe një motër më të re në moshë se vetja, ai u rrit në rrethana modeste. Ndoqi mësimet si një nxënës "i mirë, mesatar, e që nuk binte shumë në sy", në Gjimnazin Apostolik Humanitar, në qytetin e tij të lindjes. Pasi mbaroi studimet e mesme, në vitin 1894, ai filloi një kurs për nëpunës banke, të cilin e ndërpreu, sapo iu akordua një bursë nga Bashkia e Qytetit, për të studiuar jurisprudencë në Universitetin e Frajburgut. Pas dy semestrash në Mynih, ku ai ndoqi edhe leksione për ekonomi, lëviz drejt Bonit. Atje mbaron me sukses stazhin në vitin 1897. Provimin e liçensimit në 1901, në Berlin, ai e merr me notën " mjaftueshëm".
Pas një kohe si asistent pranë Prokurorit Publik në Këln, në vitin 1902, ai iu bashkua një firme ligjore të udhëhequr nga Hermann Kausen, i cili njëkohësisht ishte dhe kryetari i “Fraksionit të Qendrës” në Këshillin e qytetit. Ajo që e çoi Adenauerin drejt qendrës politike, ishte padyshim Partia e Katolicizmit politik. Karriera e tij politike filloi në vitin 1904, kur ai u martua me 24-vjeçaren Ema Weyer, bijë e një familje të respektuar dhe të pasur nga Këlni. Nëpërmjet kësaj martese, ai mundi të hyjë në kontakt me parinë intelektuale, politike e aristokrate të qytetit. Pas vitit 1906, pasi arrin disa suksese politike, duke u zgjedhur në postet më të larta administrative të Bashkisë së qytetit të Këlnit (ku njohu postin e Nënkryetarit të Bashkisë), Adenauer u dëshmua si një organizator e menaxher shumë i mirë, sidomos gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore.
Karriera politike mes dy luftrave botëtore dhe jeta personale
Por suksesi profesional ecën paralelisht me fatkeqësitë që nisën ta prekin në jetën personale. Kështu, në vitin 1916 i vdes e shoqja, me të cilën ai tashmë kishte sjellë në jetë tre fëmijë. Ndërkohë, pëson plagë të rënda në fytyrë, gjatë një aksidenti, i cili i mori një muaj kohë qëndrim të detyrueshëm në spital. Kur në vitin 1917, pas apelit të lëshuar nga Kryetari i Bashkisë, Wallraf, për Ministrinë e Brendshme në Berlin, postin e Kryetarit, me unanimitet të plotë tashmë e merr në dorë Konrad Adenauer. Në këtë moment, ai u bë kështu Kryetari më i ri i një Bashkie, në mbarë Prusinë.
Gjatë kohës së „Republikës së Vajmarit“, Adenaueri u bë shumë shpejt një nga figurat më të fuqishme politike në Gjermani. Ai bëri bujë me planet e tij për modernizimin e qytetit, duke sjellë një zgjerim progresiv të Këlnit, e shndërruar atë në një "Metropol të Perëndimit". Riaktivizimi i Universitetit në vitin 1919, transformimi i zonës përreth, në një zonë të gjelbër, ringjallja e “Panairit të Këlnit”, zgjerimi i Portit të Rinit, ndërtimi i një ure që lidhte dy anët e lumit Rin, zhvillimi i industrisë dhe sjellja e investitorëve të fuqishëm, siç ishte dhe FORD-i; të gjitha këto ndodhën në kohën që ai qeveriste qytetin.
Me rëndësi kombëtare, ndikimi i tij ishte në zyrën e Kryetarit të shtetit prusian, të cilin ai e mbajti 1921-1933. Në mënyrë të përsëritur, emri i tij lakohej në krizat qeveritare të Republikës së Vajmarit, si kandidat potencial për Kancelar të Rajhut. Republikanizmi i tij, së bashku me besimin tek federalizmi dhe ideologjia kristiane me bazament social, e bënë atë shpejt një ndër kundërshtarët e Vajmarit (Sistemi i neveritshëm). Kjo ishte dhe njëra nga arsyet pse ai u shkarkua menjëherë nga posti i tij si Kryetar i Bashkisë së Këlnit dhe u dëbua nga vendlindja, kur nazistët erdhën në pushtet në vitin 1933. Viteve të tiranisë naziste dhe të Luftës së Dytë, Adenauer dhe familja e tij i mbijetuan në Zennigsweg, në Rhöndorf. Një situatë e rrezikshme për të u ravijëzua sidomos nga fundi i Luftës, kur një puç ndaj Hitlerit dështoi, dhe ai (si dhe shumë kundërshtarë të regjimit), u arrestuan dhe u mbajtën për disa muaj në paraburgim në qelitë e Gestapo-s naziste.
Karriera politike pas 1945
Amerikanët fitimtarë e vendosën Adenauerin ( tashmë në moshën 69-vjeçare) - i cili tanimë qëndronte në krye të listës së politikanëve të papërlyer me krimet naziste - përsëri në postin e Kryeqytetarit të Këlnit. Me një forcë rinore, ai iu vu detyrës së rizgjimit të qytetit të shkatërruar rëndë nga bombardimet. Por, pas pak muajve në detyrë, Administrata Ushtarake Britanike, e shkarkon nga detyra, pasi ai kishte shfaqur kritika ndaj politikave të ndjekura prej saj. Për herë të dytë, Adenauer e gjen kësisoj veten të detyruar të dalë në pension dhe i dëbuar nga Këlni.
Kur akoma nuk ishte hequr ndalimi ndaj tij për t´u marrë me veprimtari politike, tani 70-vjeçari Adenauer, u fokusua tërësisht në punën për t´iu bashkangjitur nismave të CDU-së, të cilës ai iu bashkua menjëherë pas themelimit të saj. Me konceptet politike dhe idetë programore që ai kishte zhvilluar pas Luftës së Parë Botërore, si dhe shqyrtimit në qetësi të përvojave të përfituara gjatë regjimit nazist, ai arriti të bëjë një karrierë politike “BLIC” në partinë e vet.
Qysh më 5 Shkurt 1946, Adenauer u zgjodh si kryetar i Degës së CDU-së në Krahinën e Rinit dhe – brenda më pak se një muaji - si Kryetar i CDU-së në Zonën e Pushtimit Britanik. Në tetor të atij viti, ai mori përsipër drejtimin e Fraksionit të CDU-së në Parlamentin e Landit të Rinit të Veriut dhe Vestfalisë (Nordrhein-Westfalen). Ngjitja e tij në majën e piramidës shtetërore, duke u bërë kancelari më karizmatik në Gjermani, dhe një burrë i respektuar në botën perëndimore, lidhet pandashmërisht me shfaqjen e konfliktit Lindje-Perëndim dhe fillimin e Luftës së Ftohtë.
Hap vendimtar në rrugën e tij në krye të shtetit të sapolindur të Gjermanisë Perëndimore, ishte zgjedhja e tij si President i Këshillit Parlamentar, i cili u themelua në vitin 1948 me porosinë dhe konsensusin e tre fuqive aleate perëndimore, për të hartuar projekt-kushtetutën e Republikës Federale të Gjermanisë. Në këtë pozicion, ai ishte kësisoj, njësoj përgjegjës përballë kryeministrave të Landeve dhe guvernatorëve ushtarakë të Fuqive Aleate si „Zëdhënës i Republikës Federale në ndërtim“ (sipas Heuss) duke fituar kështu nderim dhe adhurim në publik.
Suksesi madhor dhe nderimi mbarëbotëror
Nga Fraksioni Parlamentar i CDU / CSU-së në Bundestagun e parë Gjerman të Pasluftës, Adenaueri, tashmë 73-vjeçar, u zgjodh në krye të Qeverisë Federale më 15 Shtator 1949, duke qenë kancelari më i vjetër në historinë e Pasluftës. Ai vijoi ta mbante atë post, për plot 14 vjet. Kabinetet qeveritare federale të udhëhequra prej tij, vunë themelet për ndërtimin e suksesshëm të demokracisë së re. Vendime epokale lidhen pazgjidhshmërisht me atë që njihet si "Era Adenauer“, në politikën e jashtme, me: arritjen e sovranitetit të shtetit, lidhjet e ngushta me “Perëndimin e lirë”, pajtimi me Francën dhe Integrimi Europian.
Në politikën e brendshme: integrimi i personave të zhvendosur dhe refugjatëve të Luftës, dhe zhvillimi i një modeli të ri të sistemit të ekonomisë së tregut të lirë, ndërthurur me normat sociale, në të cilat promovohet konkurenca e lirë dhe përgjegjësia sociale. Por, "mrekullia ekonomike gjermane" nuk do të kishte qenë e sigurtë pa arritjen e një paqeje të brendshme sociale. Kështu, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 1957, CDU / CSU me kandidatin për Kancelar, Konrad Adenauer, fituan një shumicë absolute të votave (50,2%) - një sukses i pasur politik ky në Gjermani.
Nga fundi i mandatit të tretë qeverisës nën udhëheqjen e Adenauerit, lindën megjithatë edhe pasiguritë e para e kundërshtitë politike ndaj kursit të tij. Ndryshimet në klimën politike globale, të shkaktuara nga një zhvendosje e prioriteteve të ndryshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, intensifikuan presionin e Bashkimit Sovjetik mbi Berlinin (ultimatumi i Berlinit dhe teoria e 3 shteteve). Politika e brendshme tashmë vuante nga kritikat për ndikimin e njerëzve të rrethit familjar të Kancelarit dhe zienin debatet për pasardhësin e Adenauerit "të plakur ". Një hap historik u arrit në lidhjet politike mes Gjermanisë dhe Francës, të cilat janë ndërtuar mbi miqësinë mes Adenauerit dhe de Golit (takimi i parë i vitit 1958).
Politika në Gjermani, ndërkohë, në këtë moment, arrin një pikë të ulët. „Muri i Berlinit“ që u ngrit më 13 gusht 1961, vetëm disa javë para zgjedhjeve të katërta të përgjithshme në vend, duket se po sillte ndarjen afatgjatë të dy shteteve gjermane. Në vitin 1961, ai u rizgjodh sërish në krye të një kabineti federal të ndërtuar në koalicionin mes kristian-demokratëve e kristiansocialëve ( CDU / CSU) si dhe partnerit të ri qeverisës, liberalët e FDP-së. Në mes të këtij mandati, Konrad Adenauer tërhiqet në mënyrë të parevokuesh-me, duke zbatuar kësisoj edhe një marrëveshje të arritur mes anëtarëve të koalicionit.
Tërheqja dinjitoze dhe borxhi i gjermanëve
Në të njejtin raport me terrenin që u kishin lëshuar gjeneratat e pjesëmarrësve së dy luftrave botërore, fëmijëve të tyre të Brezit të Rindërtimit, u gjend edhe Adenaueri, duke humbur forcën e tij tërheqëse si politikan. Kështu, në vitin 1966, ai dha dorëheqjen edhe nga funksioni i tij si Kryetar i Kombëtar i CDU-së. Arritja e fundit e tij politike ishte në vitin 1963, kur nënshkroi „Traktatin franko-gjerman“, duke sjellë në vëmendje fokusimin në bashkëpunimin midis dy vendeve fqinje, edhe më tej atë në Evropë, si një objektiv madhor të politikës së Adenauerit.
Kur më 19 prill 1967 - në moshën 91-vjeçare, Adenauer vdes, ai u nderua si një burrë shteti në të gjithë botën. Veçanërisht gjermanët në Republikën Federale (asokohe), i kanë borxh atij lirinë, mirëqenien dhe begatinë. Trupi i Konrad Adenauer-it, pushon sot në varrezat e Rhöndorf-it. Shtëpia ku ai banoi, është kthyer në muze dhe qendër kërkimore nga Fondacioni që mban emrin e tij. Kujtimet e tij, vëllimi i parë i të cilëve u botua në vitin 1965, si dhe një përzgjedhje e letërkëmbimit të tij, përbëjnë sot burime historike me vlerë madhore.
Citate nga Konrad Adenauer:
„Është e vërtetë që jetojmë të gjithë nën të njejtin qiell, por fatkeqësisht jo të gjithë shohim të njejtin horizont“.
– Citati më i njohur i Konrad Adenauerit
"Ju do të donit të thoni se politikani nuk mund të thotë gjithmonë gjithçka; e aty keni të drejtë. Por ajo çka ai thotë, duhet të jetë e vërtetë"
- Radiostacioni „Berlini i Lirë“, Emisioni i datës 29.12.1965, Günter Gaus në bisedë me Konrad Adenauer
"Ne gjendemi para zgjedhjes mes skllavërisë dhe lirisë. Ne zgjedhim Lirinë!"
– Deklaratë qeveritare më 3 dhjetor 1952, para Bundestagut Gjerman gjatë nënshkrimit të „Marrëveshjeve të Parisit“.
Materiali u përgatit nga: Armand Plaka