Të ftuar nderi në këtë panel ishin, kryetari i partisë së Unionit Kristian Demokrat Z. Armin Laschet, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Z. Lulzim Basha, anëtari i Parlamentit Europian Z. Michael Gahler, ish-eurodeputeti Elmar Brok si dhe deputeti austriak, Z. Reinhold Lopatka.
Drejtori i fondacionit Z. Tobias Rüttershoff theksoi në fjalën e tij hapëse detyrimet e të gjithë forcave politike në Shqipëri, në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme në Prill 2021, për të plotësuar kushtet e nevojshme për zgjedhje të lira dhe të drejta. Ai shtoi përveç të tjerash se vëmendja më e madhe i duhet kushtuar sfidave të vendit drejt integrimit në familjen e madhe europiane. Në fokus të fjalimit të tij ishin gjithashtu zhvillimet e fundit socio-ekonomike, përkatësisht emigrimi masiv i fuqisë intelektuale të vendit, kushtet e pafavorshme ekonomike për zhvillimin e biznesit të vogël si dhe implementimi i reformës në drejtësi. Duke ju bashkuar Z. Rüttershoff, kreu i Partisë Kristian Demokrate Armin Laschet shprehu se Shqipëria ende ka nevojë për përmirësim për sa i përket çështjeve ekonomike. A shtoi se modernizimi dhe stabilizimi i Ballkanit Perëndimor është në interesin e Bashkimit Europian prej ku theksoi edhe rolin e kësaj të fundit për forcimin e lidhjeve me Shqipërinë në planin kulturor, ekonomik, shkencor dhe artistik.
Gatishmërisë së BE-së për të forcuar lidhjet i’u bashkua dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i cili shprehu vullnetin e forcës së tij politike për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët strategjikë ndërkombëtare dhe me anëtarët e tjerë të Bashkimit Europian në mënyrë që rruga e integrimit të Shqipërise në union të përshpejtohet. Integrimi i Shqipërisë dhe pjesës tjetër të ballkanit perëndimor u theksua si çështje e rëndësishme edhe nga deputeti austriak Reinhold Lopatka i cili nënvizoi se shqiptarët kanë pasur dhe do të kenë gjithmonë mbështetjen e shtetit austriak në procesin e anëtarësimit. Eurodeputetët Michael Gahler dhe Elmar Brok nxitën përveç të tjerash diskutimin për lirinë e shtypit në Shqipëri dhe reformën në drejtësi. Gahler vlerësoi ecurinë e Shqipërisë në reformën në drejtësi por shprehu se rezultat e plota të këtyre ndryshimeve mbeten ende për tu parë. Për sa i përket lirisë së medias Gahler shprehu shqetësimin e tij në lidhje me legjislacionin e ri.