Ky libër përmbledhë temat kryesore që lidhen me të kuptuarit e Bashkimit Evropian duke u fokusuar në: historinë e zhvillimit të Bashkimit Evropian, institucionet kryesore vendim-marrëse, mënyrën e funksionimit, zgjerimin dhe raportet me Ballkanin e Kosovën. Libri ju kushtohet nxënësve të arsimit të mesëm dhe trajton tema që shumë sipërfaqësisht janë të përfshira në kurrikulën shkollore. Ky libër fillimisht pasqyron historinë e formimit të Bashkimit Evropian, që nga idetë e para për formimin e BE-së, nënshkrimin e traktateve formuese, momentet historike që kanë thelluar integrimin, si dhe sfidat e ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Krahas historikut të BE-së, në kapitujt vijues trajtohet arkitektura institucionale e Bashkimit Evropian në bazë të traktatit të Lisbonës, i cili është në fuqi. Institucionet më të rëndësishme vendimmarrëse do të trajtohen ndaras duke përshkruar mënyren e zgjedhjes, përbërjen, rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e secilit institucion. Në këta kapituj përfshihen edhe mënyrat e vendimmarrjes si dhe ndërvarshmëria institucionale në rrugën e nxjerrjes së vendimeve brenda BE-së. Përfundimisht, ky libër trajton edhe politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në raportin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, përkatësisht Kosovën. Duke marrë parasysh lexuesit të cilëve u drejtohet ky libër, unë kam thjeshtëzuar përshkrimin dhe reduktuar numrin e citimeve. Ky libër mbështetet në të dhënat zyrtare të institucioneve të BE-së dhe institucioneve të Kosovës dhe literaturën e bashkangjitur.