Argumenti kryesor i librit është se është e mundshme që sistemet zgjedhore të kenë ndikim më të madh në sjelljen e deputetëve në demokracitë e reja që kanë Institucionalizim të dobët të Sistemit Partiak (ISP) sesa në demokracitë e konsoliduara parlamentare që kanë nivele të larta të ISP-së. Argumenti është se në vendet me ISP të dobët, sistemet zgjedhore që lejojnë konkurrencën brenda partisë ka të ngjarë të çojnë në unitet më të ulët të GP-së dhe lidhje më të forta me elektoratin, ndërsa sistemet zgjedhore që nuk kanë konkurrencë brenda partisë ka të ngjarë të çojnë në unitet më të lartë të GP-së dhe lidhje më të dobëta me votuesit. Teksa në vendet me ISP të lartë, sistemet zgjedhore kanë pak ndikim në sjelljen e deputetëve, pasi deputetët përgjithësisht priren të votojnë në linjë me partinë e tyre dhe të krijojnë lidhje të ngushta me zgjedhësit e tyre pavarësisht sistemeve zgjedhore, ka shumë pak njohuri për ndikimin real, nëse ka, të sistemeve zgjedhore në vendet ku ISP është i ulët.
Hulumtimi përdor një qasje sasiore duke analizuar rezultatet e votimeve (RV) nga 21 vende evropiane, duke përfshirë 6 vende të Evropës Juglindore (EJL) që nuk janë studiuar më parë, dhe veç kësaj përdor një qasje cilësore për të shqyrtuar shkallën në të cilën deputetët në dy vende të EJL-së, përkatësisht Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, krijojnë lidhje të ngushta me zgjedhësit e tyre. Analiza e RV-ve tregon se uniteti i GP-së është përgjithësisht më i ulët në vendet e EJL-së në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore (EP), megjithëse ndryshimi nuk është domethënës. Për më tepër, rezultatet e analizave të regresionit me shumë nivele tregojnë se institucionalizimi i sistemit partiak ka më shumë rëndësi sesa sistemet zgjedhore. Pra, kur niveli i ISP-së është i ulët, uniteti pritet të jetë përgjithësisht më i lartë në sistemet proporcionale (SP) me lista të mbyllura, midis sistemeve të tjera të orientuara kah partia, 9 dhe më i ulët në SP me lista të hapura, midis sistemeve të tjera të orientuara kah kandidati. Partitë që janë në qeveri shihen gjithashtu si më kohezive në krahasim me partitë opozitare. Dhe, në mënyrë të ngjashme, sa më i vogël të jetë marzhi i qeverisë ndaj opozitës brenda parlamentit, aq më i lartë është uniteti i GP-së.
Kur shqyrtohet ndikimi i sistemeve zgjedhore në kontaktet e deputetëve me zgjedhësit e tyre në zona zgjedhore, në rastin e Kosovës, ku sistemi zgjedhor ndryshoi nga SP me listë të mbyllur në SP me listë të hapur, shohim se me vendosjen e sistemit të hapur deputetët zhvillojnë më shumë lidhje me zgjedhësit e tyre sesa ish kolegët e tyre. Nën sistemin proporcional me lista të hapura deputetët kanë raportuar se shpenzojnë më shumë orë në aktivitete të ndryshme me votues, kalojnë më shumë kohë në zonën e tyre lokale, marrin një numër më të madh kërkesash në javë nga votuesit, dhe shpenzojnë më shumë kohë duke u marrë me ato kërkesa. Rasti i Maqedonisë së Veriut, me sistem proporcional me lista të mbyllura, tregon gjithashtu se deputetët priren të zhvillojnë lidhje të ngushta me zgjedhësit e tyre, por intervistat me deputetët zbuluan se kjo është kryesisht për shkak të metodave të përzgjedhjes së kandidatëve, ku vendimi i partive se ku do të vendosen kandidatët në listë varet nga popullariteti i tyre në mesin e votuesve. Ky konstatim tregon se vetëm sistemi zgjedhor nuk mjafton për ta kuptuar dhe parashikuar sjelljen e deputetëve. Nëse përdoren sondazhet e opinionit publik për të përcaktuar renditjen në listë, siç ndodh në Maqedoninë e Veriut, atëherë në fakt kjo i afrohet transformimit të një sistemi nominalisht me listë të mbyllur në një sistem de fakto me lista të hapura.
Në përgjithësi, hulumtimi tregon se ndikimi i sistemeve zgjedhore është më i nuancuar sesa kanë sugjeruar disa hulumtime të mëparshme. Ndikimi varet nga faktorë të tjerë, veçanërisht nga niveli i institucionalizimit të sistemit partiak. Kur ISP është i ulët, sistemi zgjedhor, veçanërisht zgjedhja mes versioneve të SP me lista të hapura dhe të mbyllura, ka gjasa të ketë ndikim më të madh sesa kur ISP është i lartë. Për më tepër, edhe ndikimi unifikues i SP me lista të mbyllura mund të shuhet nga aspekte të tjera të procesit përmes të cilit individët bëhen deputetë, veçanërisht nga procesi i përzgjedhjes së kandidatëve, gjë që në Maqedoninë e Veriut ka efektin e nxitjes së deputetëve për të qenë më të afërt me votuesit siç parashikohet të sillen deputetët e zgjedhur më SP me listë të hapur. Prandaj, studimi sugjeron se niveli i institucionalizimit të sistemit partiak dhe metodat e përzgjedhjes së kandidatëve janë variabla të rëndësishme që nuk duhen neglizhuar në asnjë teori për unitetin e GP-së dhe lidhjet ndërmjet deputetëve dhe elektoratit.