Asset Publisher

Raporte mbi situatën në vend

NE SHQIPERI THELLOHET KRIZA POLITIKE AFATGJATE

Dr. Willibold Frehner
Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në qershor 2009, sollën një garë të ethshme mes dy kampeve rivale, PD-PS. Ndërkohë që votat nuk ishin numëruar akoma plotësisht, dy blloqet nxituan ta shpallnin veten fitues. Për mashtrim zgjedhor apo parregullsi, në atë kohë flitej ndoshta vetëm përciptazi.

Asset Publisher

Edi Rama, kreu i partisë së deritanishme opozitare (PS), gati po e shihte veten si kryeministri i ri i vendit dhe ishte shumë i pakënaqur që LSI-ja me vetëm katër deputetë të përfaqësuar në Parlament, arriti të formojë një koalicion të përbashkët me Partinë Demokratike të Kryeministrit aktual, Dr. Sali Berisha.

Në Parlamentin me 140 vende, PD-ja e Sali Berishës, sëbashku me LSI-në, nën udhëheqjen e Ilir Metës, arriti kësisoj të kishte një mazhorancë me diferencë të lehtë. Berisha dhe Meta u bashkuan në një qeveri të udhëhequr nga Berisha si Kryeministër dhe Meta si zv/kryeministër.

Zhgënjimi për kreun e opozitës, Edi Rama, ishte - sigurisht - i madh që ai nuk mundi dot të formonte një koalicion me LSI-në. Në një konstelacion të tillë, Rama do të kishte mundur të ishte bërë kryeministër. Nga ky moment, ai vuri në dyshim ligjshmërinë e zgjedhjeve parlamentare dhe nisi të deklaronte se qeveria Berisha-Meta po qëndronte në pushtet në mënyrë jo të ligjshme.

Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe sidomos OSBE-ja, i vlerësuan zgjedhjet si më të mirat që ishin mbajtur ndonjëherë në Shqipëri, edhe pse duheshin ndërmarrë reforma të tjera akoma në këtë drejtim, për të shmangur një herë e mirë të gjitha shkeljet dhe pakorrektësitë e tjera.

Në vitin 2010 u ndërmorën një sërë përpjekjesh për të ndërmjetësuar dialogun mes dy liderëve kryesorë në kampet rivale – Berisha dhe Rama.

As BE, as europarlamentarët dhe as Fondacioni „Konrad Adenauer“, nuk ia dolën dot të shënonin sukses në negociatat e tyre. Të dy kundërshtarët ishin dakord megjithatë që të formonin në Parlament një komision hetimor për zgjedhjet – mbi detajet rreth kompetencave të këtij të fundit, të dyja palët nuk ranë asnjëherë dakord.

Rama, i cili nuk është pjesë e Parlamentit, por ushtron detyrën e Kryebashkiakut të Tiranës, e bllokoi punën në Parlament. Deputetët e zgjedhur të PS-së nuk u betuan dhe kësisoj nuk morën pjesë për rreth 6 muaj në mbledhjet dhe votimet e Kuvendit të Shqipërisë. Vetëm pas shumë protestave dhe një greve urie në qendër të Tiranës, deputetët e zgjedhur të PS-së, u betuan në fund të shkurtit 2010, për të mos humbur mandatet e tyre.

Në parlament, megjithatë, normaliteti sërish nuk u kthye. Nuk u diskutuan thuajse fare çështjet bazë, por e gjithë koha u kalua nga palët, duke kryer akuza të ndërsjella.

Qeveria Berisha-Meta, për shkak të shumicës së saj të brishtë, mundi të miratonte në Kuvend disa ligje që kërkonin shumicë të thjeshtë dhe të administronte gjithashtu qeverisjen. Ligjet të cilat kërkonin shumicë të cilësuar me 3/5 e votave, u zvarritën dhe nuk njohën miratim.

Shtetasit e Shqipërisë ndjehen sigurisht të zhgënjyer nga koha e gjatë e konfliktit në parlament. Një përfaqësim të mirëfilltë politik të qytetarëve dhe pikëpamjeve të tyre, ata nuk e shohin të implementohet në praktikë.

Në ndërrimin e viteve 2010/2011, u ndërmor edhe një herë një përpjekje, për të formuar një komision hetimor në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të merrej me verifikimin e ligjshmërisë së zgjedhjeve dhe me shumë gjasa, do të ishte i aftë të hapte edhe kutitë zgjedhore (që përmbanin listat dhe fletat e votimeve).

Edhe kjo përpjekje dështoi dhe Kryeministri Berisha pa t´i dështonin përfundimisht përpjekjet e veta për kompromis. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi me shumicën e anëtarëve të tij nga PD-ja, që fletët e votimeve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, të digjeshin. Djegia e këtyre fletëve është parashikuar në Kodin Zgjedhor, bazuar në një afat kohor të përcaktuar. Procesi i djegies së fletëve të votimit, nisi në janar të vitit 2011.

Në shtator 2010, ndodhi një riformatim i kabinetit qeveritar, i cili preku në fakt vetëm partnerin minor të koalicionit, LSI-në. Ish-ministri i ekonomisë, Dritan Prifti, nga LSI-ja, duhej të largohej nga posti i tij pas akuzave masive për korrupsion, duke u zëvendësuar në këtë mënyrë nga Ilir Meta. Ministër i ri i jashtëm u vendos Edmond Haxhinasto nga radhët e LSI-së.

Nga mesi i janarit 2011, në publik u shfaq një video, e cila tregonte ish-ministrin Prifti në një bisedë konfidenciale me Ilir Metën, ku flitej për praktika korruptive në dhënien e konçesioneve që kishin lidhje me investimet në infrastrukturë ( hidrocentrale). Meta i mohoi këto akuza dhe e cilësoi përmbajtjen e videove si të fabrikuara nga kundështari i tij politik. Në partinë opozitare, PS, kjo çështje sigurisht u pa me një optikë tjetër dhe në Parlament më pas u vërejtën skena të një diskutimi të zjarrtë mbushur me akuza dhe elementë dhune.

Meta dha dorëheqjen si ministër dhe si zv/kryeminsitër dhe gjithashtu dorëzoi edhe imunitetin parlamentar, për t´i hapur rrugë hetimit të akuzave. Për liderin e opozitës Edi Rama, me këtë hap u soll edhe një motiv më shumë, për ta kritikuar qeverinë në mënyrë masive. Ai vijoi të deklaronte se qeveria mbahej në pushtet me anë të korrupsionit dmth. me anë të mashtrimit zgjedhor dhe se ajo ishte e korruptuar. Ashtusikurse edhë në vitin 2010, Rama vijoi me aksionet e tij në parlament dhe me ato ekstraparlamentare, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë e duke synuar zgjedhje të reja.

Është vendosur - ndërkohë - që më 8 maj 2011, të mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri. Edi Rama ka lënë të kuptohet se PS-ja do të marrë pjesë në këto zgjedhje. Natyrisht se në qendër të betejës dhe debateve qëndron me këtë rast karrigia e kryebashkiakut të Tiranës. PD-ja dëshiron të nxjerrë në garë për këtë post, kandidatin e saj, ministrin aktual të brendshëm, Lulzim Basha – dhe nëse do u besohej njoftimeve nga kampi qeveritar, Basha ka shance të mira, ta zëvendësojë Edi Ramën.

Një rezultat i tillë zgjedhor natyrisht se do të kishte pasoja të mëdha në përplasjet mes qeverisë dhe opozitës dhe gjithashtu pasoja direkte edhe për karrierën e liderit të opozitës, Edi Rama.

Rama, para pak ditësh u bëri sërish thirrje mbështetësve të vet, për të rrëzuar qeverinë. Qeveria - sipas tij - po mbahet më këmbë në mënyrë të paligjshme dhe është tërësisht e korruptuar. Ai e krahasoi situatën në vendin e vet, me rrëzimin e qeverisë në Tunizi dhe kërkoi që qeveria, e cila sipas tij, është larguar nga populli, duhet të jepte sa më parë dorëheqjen.

Opozita u kërkoi përkrahësve të vet që të dilnin në një demonstratë të madhe, ditën e premte më datë 21 janar 2011 në qendër të Tiranës. E demonstrata u tha se nuk duhej të përmbante më flamuj të partisë opozitare PS, por pankarta, ku do të shkruhej kërkesa për dorëheqjen e qeverisë së Berishës.

Vëzhgues neutralë vlerësojnë se në demonstratë morën pjesë 20.000 deri në 30.000 vetë ( përkrahës të PS-së), të cilët u mblodhën në bulevardin qendror të Tiranës. Të dhënat e liderit të opozitës flasin për 300.000 vetë, të cilët u mblodhën atje, por sigurisht, se këto shifra janë shumë të ekzagjeruara.

Turma e njerëzve u mblodh para godinës, në të cilën gjendet edhe zyra e Kryeministrit dhe kërkonte dorëheqjen e Berishës dhe të qeverisë së tij. Godina e qeverisë u rrethua nga forcat policore. Shumë shpejt filluan përplasjet e dhunshme mes protesutuesve dhe policisë. Makinave të policisë iu vu flaka dhe forcat e rendit u goditën me gurë dhe shkopinj. Policia përdori municion luftarak. Pas të dhënave të para nga spitalet, u konfirmua vdekja e tri personave të shkaktuar nga armë zjarri dhe e rreth 100 të plagosurve, ndër ta edhe e disa policëve.

Strategjia e policisë orientohej drejt mbrojtjes së godinës së Kryeministrit. Protestuesit nuk mundën ta merrnin dot godinën në fjalë. Pas ndalimit të përplasjeve të dhunshme, gjendja u qetësua sërish. Lideri i opozitës, Rama, tha se viktimat ishin heronj që ishin martirizuar për t´i sjellë Shqipërisë një qeveri më të mirë. Berisha i cilësoi trazirat si një përpjekje të opozitës për të rrëzuar qeverinë me një grusht shteti. Edhe nëse gjendja në ditët në vazhdim, duket se mbeti e qetë, për momentin nuk mund të parashikohet, se cila do të ishte zgjidhja e krizës politike afatgjate në Shqipëri.

Demonstratat e paralajmëruara të qeverisë më datë 26 dhe ajo e opozitës më 28 janar 2011, me shumë gjasa nuk do të mund të sjellin asnjë zgjidhje politike.

Asset Publisher

comment-portlet

Asset Publisher