Zyra e KAS për Shqipërinë në bashkëpunim me The Albanian Policy Center dhe me pjesëmarrjen e George C. Marshall European Center for Security Studies, organizuan më 18 nëntor Konferencën Ndërkombëtare "Sferat e ndikimit rus dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor: Kërcënimi rus".
Kjo konferencë bëri bashkë ekspertë, vendimmarrës & akademikë nga Shqipëria, Gjermania, SHBA-ja, si dhe rajoni i Ballkanit, për të shqyrtuar në mënyrë kritike ndikimin e Rusisë dhe aktorëve të tjerë në formësimin e peizazhit të sigurisë në Shqipëri dhe rajon. Konferenca u përshëndet nga fjala e Drejtorit të KAS Shqipëri, dr. Thomas Kunze, njëherazi edhe Përfaqësues i KAS për Rusinë. Me ftesë të KAS, në panelin e parë na u bashkua edhe dr. Christian Forncek - Këshilltar i Lartë për Politikën e Jashtme në Grupin Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman.
Punimet e konferencës u ndalën në rolin e Rusisë në destabilizimin e institucioneve demokratike përmes taktikave të luftës hibride, dezinformimit dhe investimeve strategjike të oligarkëve rusë në rajon, si dhe te trendet politike rajonale drejt formave të qeverisjes autokrate.