Nga zemra e Piramidës së Tiranës, dikur një muze në nder të diktatorit, çelëm Ditët e Kujtesës 2025 me një ekspozitë me portrete të ish-të përndjekurve politikë, për të nderuar kësaj here vuajtjet e tyre nën regjim komunist. Ekspozita sjell bashkë portretet e 40 burrave dhe grave nga breza të ndryshëm, të persekutuar, burgosur dhe internuar nga regjimi.
Ky edicion shënon edhe 10-vjetorin e Ditëve të Kujtesës, bashkëorganizuar nga Zyra e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë – një dekadë reflektimi dhe përkujtimi.Prej një dekade tashmë, "Ditët e Kujtesës" janë bërë një platformë dinamike që bashkon organizatat dhe institucionet kryesore që punojnë në fushën e kujtesës – duke përfshirë muze, nisma lokale dhe ndërkombëtare për kujtesën, shoqata të ish-të përndjekurve politikë, qendra studimore, organizata të shoqërisë civile, si dhe vendimmarrës, studiues, profesionistë të medias, artistë dhe të rinj.
Më shumë se 500 pjesëmarrës nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë ndajnë përvojat, arritjet dhe sfidat e tyre në promovimin dhe ruajtjen e kujtesës për pasojat e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ky edicion i 10-të premton një program të pasur aktivitetesh, duke përfshirë fjalime, ekspozita, shfaqje dokumentarësh, diskutime në panele, punëtori, forume debati, prezantime të botimeve më të fundit mbi diktaturën, ceremoni çmimesh për të rinjtë dhe performanca artistike.