Parathënie
I dashur lexues!
Të qartësosh se cili ka qenë rrugëtimi i deritanishëm i dimensionit të Shtetit të së
Drejtës në Republikën e Shqipërisë, është një angazhim me rëndësi, sepse mundëson
të shohësh nga e ardhmja duke mos përsëritur të njëjtat gabime, si dhe të shohësh
nga një perspektivë e gjerë, nevojën për përmirësime. Në këtë kuptim, një analizë
e rregullimeve themelore kushtetuese, nisur jo vetëm nga dispozitat normative,
por edhe nga interpretimet që qartësojnë këto dispozita, është sa e nevojshme, aq
edhe e domosdoshme. Prandaj, në vijim, qëllimi i punimit është të analizojë në
këndvështrim deduktiv, kuptimin e disa prej çështjeve themelore kushtetuese që
qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë. Kështu, ky
material synon të shërbejë si një kontribut për nxjerrjen e mësimeve pozitive për
vendin.
Ndërtimi i një Shteti të së Drejtës është produkt i angazhimit qytetar. Ai nuk
përfaqëson vetëm një kontribut të institucioneve shtetërore, por edhe një kontribut të
të gjithë aktorëve në vend, duke përfshirë individët, shoqërinë civile, profesionistët
e deri tek universitetet e Akademia e Shkencave. Çdo ndihmesë në këtë drejtim
paraqitet me rëndësi të veçantë, për faktin se, Shqipëria ndodhet në procesin e
integrimit në Bashkimin Evropian, një proces ky, i cili kërkon konsolidimin e shtetit
të së drejtës, në vend. Kështu, reflektime të kërkesave të posaçme të organizimit dhe
funksionimit shtetëror paraqiten me rëndësi për shkak se përmbushja e tyre ndikon
drejtpërdrejt në avancimin ose jo, të procesit të integrimit në familjen evropiane.
Nisur nga sa më sipër, ne u përpoqëm që përmes këtij botimi, të vijmë në ndihmë të
lexuesit për një kuptim të thjeshtë dhe të qartë të institucioneve kryesore kushtetuese
të vendit, në kuadrin e zhvillimit të Shtetit të së Drejtës. Qëllimi ynë është të
ndihmojmë në forcimin e sundimit të së drejtës në Shqipëri.
Kjo është realizuar veçanërisht përmes analizës së rolit dhe pozitës së institucioneve kryesore në vend,
si dhe të marrëdhënieve midis tyre, mbështetur kryesisht, në dispozitat kushtetuese
dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Një vëmendje e veçantë i është
kushtuar kuptimit më të mirë të rolit të Parlamentit si organ përfaqësues;kuptimit
të administratës publike; pavarësisë së gjyqësorit dhe kontributit të gjykatave për
zhvillimin e shtetit të së drejtës; marrëdhënieve midis Gjykatës Kushtetuese dhe
Gjykatës së Lartë në Shqipëri, etj. Gjatë përgatitjes së këtij materiali përqendrimi
kryesor i është kushtuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, e cila bën
interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Jurisprudenca e kësaj Gjykate ndihmon
dukshëm për një kuptim më të mirë të çështjeve të trajtuara, gjë që do të shërbejë
për formimin profesional të juristëve, por edhe të kujtdo që zbaton ligjin. Kështu,
punimi synon, të jetë edhe kontribut i drejtpërdrejtë për një zbatim më të mirë të
vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Materiali është i organizuar në 11 kapituj themelorë, të cilët marrin në analizë
çështje apo institucione themelore të shtetit në Republikën e Shqipërisë. Pjesa e parë
titullohet “Në vend të Hyrjes’ dhe synon të paraqesë një analizë mbi kushtetutën
dhe rolin që luan si ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Në këtë pjesë
theksohet se, Kushtetuta është një dokument sa politik, aq edhe juridik dhe me një
‘jetë’ të vetën, që pashmangshmërisht reflekton jetën ekonomiko-socio-politike në
vend. Gjithashtu, në këtë pjesë synohet të theksohet se një Kushtetutë sado që mund
të përmbajë koncepte e rregullime themelore juridiko-politike, sado që të afirmojë
ekzistencën e një shteti të së drejtës në një vend, e ka të pamundur të garantojë de
facto realizimin e tyre, nëse mungon vullneti i përgjithshëm i gjithsecilit person fizik
apo juridik në vend. Pra, garantimi i Shtetit të së Drejtës nuk mund të shihet si një
detyrë vetëm e organeve shtetërore.
Kapitulli i parë prezantohet si kapitull bazë, i cili analizon jo vetëm, konceptin e
shtetit të së drejtës dhe lidhjen e tij me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,
por edhe çështje të rëndësishme të lidhura me të, si për shembull, parimin e
sigurisë juridike, sovranitetin, procesin e integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë
dhe ndikimet në elementë të Shtetit të së Drejtës në vend, si dhe vendin e rolin e
organeve shtetërore e të individit, në lidhje me adresimin e elementëve themelorë
kushtetues në Republikën e Shqipërisë. Këto aspekte janë parë në marrëdhënie me
vendimmarrjen dhe interpretimet që Gjykata Kushtetuese e RSh ka paraqitur në një
sërë vendimesh të saj.
Kapitulli në vijim analizon tre organet themelore përfaqësuese të pushteteve
legjislative, ekzekutive e gjyqësore, përkatësisht Kuvendin, qeverinë dhe gjyqësorin.
Për secilin prej tyre, analizohen aspekte themelore të organizimit dhe funksionimit
përkatës, si dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese që lidhet me to, me qëllim
që të evidentohet interpretimi që kjo Gjykatë i ka bërë Kushtetutës në mjaft çështje
të rëndësishme të mbarëvajtjes së këtyre institucioneve, si: ndarja e pushteteve dhe
marrëdhëniet midis tyre, pavarësia e pushtetit gjyqësor në raport me legjislativin
dhe ekzekutivin, etj.
Një kapitull i posaçëm i kushtohet edhe Gjykatës Kushtetuese, si një ndër organet
themelore që garantojnë Shtetin e së Drejtës. Me interpretimet e veta, kjo Gjykatë
i jep kuptimin përfundimtar dispozitave të Kushtetutës dhe përcakton nëse një
rregullim ligjor apo nënligjor është ose jo, në reflektim të kërkesave kushtetuese në
Republikën e Shqipërisë. Prandaj, edhe analiza e pozicionit të këtij organi paraqitet
me rëndësi thelbësore në këtë botim.
Kapitulli në vijim i kushtohet Avokatit të Popullit, i krijuar për herë të parë me
Kushtetutën e 1998. Ky organ i pavarur kushtetues është krijuar si një mekanizëm
në duart e individëve për të mbrojtur të drejtat e liritë e tyre themelore apo interesat
legjitime nga (mos) veprimet e paligjshme e të parregullta të administratës publike
në Republikën e Shqipërisë. Edhe pse veprimtaria e tij ka karakter rekomandues
ndaj administratës publike, Ai është i aftë juridikisht, të përmbushë një varg
instrumentesh që Kushtetuta e kuadri ligjor i kanë njohur për të vënë në vend të
drejtat e shkelura të individëve.
Kapitujt në vijim japin një pasqyrim të organizimit dhe funksionimit të organeve të tjera të parashikuara në Kushtetutë si: Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), Prokuroria dhe Forcat e Armatosura (FA). Këto organe, janë shtyllat themelore të shtetit në Republikën e Shqipërisë dhe luajnë në aspekte të ndryshme, funksione me rëndësi për kontrollin e aktivitetit ekonomik dhe financiar në vend (KLSH), për ngritjen e akuzën në mbrojte të jetës, rendit juridik e publik dhe të së drejtës (Prokuroria), apo të sigurimit të pavarësisë së vendit, mbrojtjes së
tërësisë territoriale dhe rendit kushtetues, në gjendje paqeje ose të jashtëzakonshme
e lufte, në vend (FA).
Kapitulli i fundit i kushtohet organizimit dhe funksionimit të qeverisjes vendore sipas kuadrit kushtetues në RSh. Qeverisja vendore e ngritur mbi bazën e parimit të decentralizimit dhe që funksionon sipas parimit të autonomisë vendore është një qeverisje më afër shtetasve, në reflektim të koncepteve tashmë themelore, të
demokracisë evropiane, të afrimit sa më shumë tek qytetarët, të administrimit të
interesave bazë të tyre. Organet e njësive të qeverisjes vendore dhe funksionet e
tyre kanë qenë në vijimësi pjesë e interpretimeve nga ana e Gjykatës Kushtetues në
çështje të cilat kanë pasur në themel, sa interpretimin e kuptimit të decentralizimit,
aq edhe atë të kontrollit që ushtrohet ndaj këtyre organeve.
Çështjet e renditura më sipër bënë që Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim
me Universitetin e Tiranës, të mbështeste iniciativën për botimin e këtij punimi.
Botimi që prezantohet është realizuar në sajë të mbështetjes financiare të Fondacionit
Konrad Adenauer, duke synuar që të kontribuohet drejtpërdrejt në konsolidimin e
demokracisë në Republikën e Shqipërisë. Ideja e përgatitjes së këtij punimi erdhi jo
vetëm si nevojë e kontributit për një analizë të thelluar dhe që të plotësojë analizat
ekzistuese në lidhje me çështje themelore të demokracisë e të shtetit të së drejtës në
Republikën e Shqipërisë, por edhe si nevojë e kontributit në botime akademike, si
një mbështetje e drejtpërdrejtë e procesit të formimit profesional të juristëve, etj.
Së fundi, duhet theksuar se materialet e prezantuara në këtë botim, janë analiza të autorëve të tij
Konrad Adenauer. Të tre autorët e këtij botimi janë autorë me kontribute të barabarta.
Prandaj, Fondacioni Konrad Adenauer apo institucionet në të cilët punojnë autorët,
nuk janë përgjegjës për mendimet dhe opinionet e prezantuara në këtë botim.
Shpresojmë që ky material të reflektojë qëllimet që autorët i kanë vënë vetes, për të
shërbyer si një analizues i qëndrimeve interpretuese të Kushtetutës dhe normave të
tjera themelore, si dhe për një ndihmë ndaj institucioneve e subjekteve të ndryshme
që operojnë në fushën e Shtetit të së Drejtës.
Autorët
Botimi përmban 296 faqe.
Kopje të librit në gjuhën shqipe mund të tërhiqen nga të interesuarit duke kontaktuar me Znj. Loreta Shameti në adresën: Loreta.Shameti@kas.de
Recenzente: Prof. Dr. Arta Mandro
Dr. Evis Alimehmeti
Departamenti i së Drejtës Publike
Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës
@ Të gjitha të drejtat e rezervuara. Asnjë pjesë e këtij materiali nuk do të botohet
pa lejen e autorëve.
Shtypi: Adelprint
Financuar nga: Fondacioni Konrad Adenauer