PARATHËNIE
Prej disa dekadash Partitë Kristian-Demokrate janë përcaktuese në politikën e shumë shteteve evropiane dhe në procesin e bashkimit të Evropës, të cilin ato e kanë iniciuar dhe ndërtuar me sukses. Për Fondacionin Konrad Adenauer, i cili që prej vitit 1964 mban emrin e Kancelarit të parë gjerman, vlerat e Demokracisë Kristiane dhe emri që ai mban janë njëkohësisht mision dhe detyrim.
Modeli i punës sonë është botëkuptimi kristian për njeriun si një krijesë e Zotit me vlera të njëjta, me individualitet dhe dinjitet të veçantë dhe si krijesë jo e përkryer. Mbi këtë bazë Fondacioni Konrad Adenauer angazhohet në Gjermani, në Evropë dhe në mbarë botën për mbështetjen e demokracisë së lirë, bazave të shtetit të së drejtës dhe të Ekonomisë Sociale të Tregut. Parimet tona janë liria, drejtësia dhe solidariteti.
Nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar nuk synohet që “të eksportohen” tek të gjitha shtetet partnere koncepte të parapërgatitura mbi demokracinë dhe Ekonominë Sociale të Tregut. Qëllimi i angazhimit ndërkombëtar të KAS-it është para së gjithash dhënia e kontributit së bashku me partnerët tanë lokalë për zhvillimin dhe stabilizimin e demokracisë, vlerave të saj themelore, politikave dhe institucioneve të tyre. Vlerat e Demokracisë Kristiane nga njëra anë dhe politikat konkrete bazuar mbi këto vlera nga ana tjetër janë orientim dhe mbështetje për ndërmarrjen e politikave të rëndësishme.
Pikërisht Ekonomia Sociale e Tregut mund të jetë një shembull, i cili mund të kontribuojë për kalimin e pasojave të krizës globale financiare dhe ekonomike dhe për zhvillimin e qëndrueshëm në shtetet ku realizohen projektet tona. Kjo broshurë është një vështrim i përgjithshëm mbi vlerat e Demokracisë Kristiane, historinë e zhvillimit të saj dhe qëndrimet kristian-demokrate në sektorë të përzgjedhur të politikës. Përveç kësaj në fund të broshurës ndodhen të dhëna biografike për disa kristian-demokratë evropianë të rëndësishëm.
Kjo broshurë është një produkt i përbashkët i disa departamenteve të Fondacionit Konrad Adenauer, e cila para së gjithash mund t´u vihet në dispozicion filialeve jashtë shtetit, në mënyrë që gjatë punës së projektit të Fondacionit në mbarë botën të vihen në zbatim ide, vlera dhe politika të Demokracisë Kristiane. Unë i falënderoj të gjithë bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët e Fondacionit Korad Adenauer, të cilët kanë kontribuar
për realizimin e kësaj broshure. Një falënderim i veçantë shkon për ish-drejtorin e hulumtimeve në KAS, Prof.Dr. Hans-Joachim Veen, i cili në ditët e sotme është drejtuesi i Fondacionit Ettersberg në Vaimar dhe për Drejtuesin e Agjencisë për Konsulencë Mediatike dhe PR Coinvincet GmbH, Prof.Dr. Wolfgang Stock, për bashkëpunimin e tyre miqësor.
Dr. Gerhard Wahlers
Zv. Sekretar i Përgjithshëm i Fondacionit Konrad Adenauer