Në vitin 2014 Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dy ligje të rëndësishme që garantojnë pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje: ligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik” dhe ligji “Për të drejtën e informimit”. Sot, dhjetë vite pas hyrjes në fuqi të këtyre akteve, efekteve të ardhura nga ndarja administrativo-territoriale, drejtimin e pjesës më të madhe të bashkive në rang vendi nga e njëjta forcë politike, si dhe pjesëmarrjes së ulët të të rinjve në zgjedhjet e fundit lokale, lind nevoja e monitorimit në praktikë të zbatimit të këtyre ligjeve.
Përmes këtij raporti monitorimi është kryer një matje në praktikë e progresit të zbatimit të të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në konsultimin publik dhe për të marrë informacion mbi dokumentet zyrtare në nivel vendor. Kështu, synimi i iniciativës së përbashkët mes Qendrës Europiane dhe Fondacionit Konrad Adenauer është përmirësimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Ne jemi munduar të japim një pasqyrë të situatës aktuale të institucioneve vendore, por edhe shkallës së ndërgjegjësimit të publikut për të ushtruar në praktikë të drejtat e garantuara nga ligji.