Në Republikën e Shqipërisë, angazhimi i të rinjve në proceset politike ka shënuar rënie kryesisht për shkak të humbjes së besimit të të rinjve në politikë. Kuadri ligjor shqiptar përcakton të drejtat sociale, politike, kulturore dhe qytetare të të rinjve. Nga ana tjetër, mungesa e interesimit të të rinjve për pjesëmarrje aktive politike lidhet edhe me informacionin dhe hapësirat e pamjaftueshme të ofruara nga pushteti qendror dhe lokal. Shumica e raporteve dhe studimeve në Shqipëri analizojnë dinamikat e pjesëmarrjes së të rinjve në sferën politike, por jo ndikimin që mund të kenë në demokracinë e drejtpërdrejtë. Shumë të rinj kanë pikëpamje të ndryshme për çështjet që janë të rëndësishme për ta, por ato shpesh nuk përkthehen në forma të angazhimit politik konvencional dhe jo konvencional. Në konteksin lokal pjesa më e madhe e grupimeve rinore janë pjesë e forumeve kombëtare apo Këshillave Vendore Rinore dhe shpesh këto struktura janë të varura prej forumeve politike. Këshilli Vendor Rinor Shijak është një strukturë e re, e ngritur në shtator 2022 dhe në përfundim të një procesi konsultimesh me anëtarët e KVR-së gjatë periudhës Shkurt - Maj 2023 u vlerësua i rëndësishëm hartimi i një udhëzuesi me qëllim rritjen e efektivitetit të punës së KVR-së