Në thelbin e vet, historia e ekonomisë nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të shpjeguar shumëllojshmërinë e modeleve të rritjes, stanjacionit dhe rënies së shoqërisë përgjatë kohës, si dhe të eksplorojë mënyrën se si përplasjet që janë pasojë e ndërveprimit njerëzor, prodhojnë rezultate që divergojnë shumë nga njëra-tjetra. (North, 19901 ) Në kërkim të një shpjegimi të tillë, në një konferencë mbi shkaqet e prapambetjes së Europës Juglindore, të zhvilluar në vitin 1983 në Liqenin e Komos (Itali), u shtrua pikërisht një pyetje e tillë nga Eric Hobson2 : “Pse Shqipëria nuk është aq e pasur sa Zvicra? Të dyja janë pak të populluara, vende malore, me burime të pakta, shtete të dobëta por të pavarura, ofruese mercenarësh dhe ushtarësh dhe kanë jetuar në paqe pjesën më të madhe të historisë së tyre.” Një pyetje intriguese për çdo studiues, por që kërkon një hulumtim të detajuar në historinë, ekonominë, politikën, kulturën dhe aspektet sociale të vendit, pas në historinë e vet dhe deri në ditët tona.