Më 3 – 4 dhjetor 2021, Fondacioni Konrad Adenauer në Kosovë dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) organizuan Modulin e IV-të të gjeneratës së 19-të të “Shkollës për Studime Politike” me studiues të rinj, politikanë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Ligjëruesit e seminarit z. Adem BEHA, z. Albert KRASNIQI dhe z. Neritan SEJAMINI e trajtuan politikën e partive politike në Kosovë nga katër këndvështrime:
- partitë politike si agjentë të demokratizimit në kuadrin e tranzicionit, duke u fokusuar në konkurrencën e brendshme partiake dhe demokracinë, llogaridhënien dhe transparencën, por edhe në çështje të tjera (përfshirë përfaqësimin, profilizimin ideologjik, kapacitetet dhe financimin);
- partitë politike si agjentë lidershipi, duke u përqëndruar në rolin që ato luajnë në promovimin e modeleve të lidershipit, profilizimin ideologjik të politikave publike dhe rrjetëzimin me kolegët përkatës në mbarë Evropën dhe më gjerë;
- partitë politike, zgjedhjet dhe parlamentarizmi, duke u fokusuar në rolin e tyre në reformat e sistemit dhe procesit zgjedhor dhe ligjbërjes aktuale, si dhe në çështjet e fushatave zgjedhore, të rretheve dhe lidhjeve me zonat elektorale; dhe
- partitë politike dhe qeverisja, duke u fokusuar kryesisht në programet e tyre dhe masën në të cilën ato reflektohen në politikat e qeverisë dhe rolin e tyre në ndërtimin e koalicionit qeveritar.