Asset Publisher

Raporte mbi aktivitetet

Sfidat e bizneseve vendore pas periudhës post-Covid

Cilat janë ato dhe çfarë politikash duhet ndërmarrë?

Nga Salloni i së Martës “Sfidat e bizneseve vendore pas periudhës post-Covid: Cilat janë ato dhe çfarë politikash duhet ndërmarrë?” i datës 02.12.2021, shkruan Besnik Boletini

Asset Publisher

Në marsin që po vjen bëhen dy vite kur zyrtarisht rezultuan personat e parë të infektuar me Covid-19. Kjo gjë shkaktoi panik të madh te qytetarët. I gjithë vendi u mbyll shumë shpejtë.

Përveç pasojave shëndetësore, e që janë më të rëndësishmet, pasojat e mëdha u shkaktuan në ekonominë e brishtë të Kosovës. Sektori i ekonomisë në vazhdimësi ndër vite është përballur me sfida të ndryshme dhe të shumta, të cilat e kanë rrezikuar dhe po e rrezikojnë funksionimin e tij. Për shkak të kësaj situate, shumë të punësuar ju shtuan të papunëve, e të varfrit u bënë edhe më të varfër.

Ndikimi i pandemisë Covid-19 në ekonomi, përkatësisht sfidat e bizneseve vendore dhe se çfarë politikash duhet ndërmarrë për të përmirësuar situatën, ishte tema që u diskutua në sallonin e radhës që organizohet nga D4D dhe KAS.

Sfidat që ka shkaktuar pandemia janë shumëdimensionale dhe kanë ndikime të shumta në zhvillimin e bizneseve. Këto sfida do t’i shoqërojnë bizneset edhe në vitet pasuse.

Pandemia Covid-19 në veçanti ka dëmtuar bizneset e reja. Si pasojë, disa nga ato janë shuar. Ndërsa, bizneset që kanë pasur një periudhë më të gjatë të funksionimit, kanë qenë më të qëndrueshme.

Të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), tregojnë se gjatë vitit 2020 janë shuar 1 mijë 346 biznese.

Sipas një hulumtimi të Odës së Afarizmit të Kosovës, i realizuar me 250 përfaqësues të bizneseve në periudhën mars 2020-mars 2021, rezulton se sektorët më të dëmtuar janë gastronomia me 66.4%, tregtia me shumicë 9.3%, tregtia me pakicë 7.5%, prodhimi me 15.6%, ndërsa të tjerat përbëjnë 0.9%. Sektorët që kanë përfituar më së tepërmi nga kjo situatë rezultojnë të jenë barnatoret dhe marketet ushqimore me 70.8%, prodhimtaria me 8%, dhe ndërtimtaria me 1.9%. Te bizneset e dëmtuara, të anketuarit deklaruan se kanë reduktuar numrin e punëtorëve nga një deri në pesë persona.

Në pyetjen drejtuar përfaqësueseve të bizneseve se si pandemia Covid-19 ka ndikuar përgjithësisht në të bërit biznes, 27% kanë deklaruar se ka ndikuar jashtëzakonisht keq, 23% deklaruan se ka ndikuar keq, 40% deklaruan se ka ndikuar deri diku keq, 7% kanë thënë se nuk ka ndikuar asgjë dhe 3% kanë deklaruar se ka ndikuar pozitivisht.

Në këtë gjendje të rënduar ekonomike, një ndikim mjaftë pozitiv e kanë pasur mërgimtarët. Përkrahja financiare që ata ua kanë dhënë familjarëve të tyre në Kosovë, ka pasur ndikim të rëndësishëm në stabilitetin socio-ekonomik. Vetëm gjatë vitit 2020 mërgata ka dërguar mbi 1 miliard e 200 milionë euro. Gjithashtu ardhja e një numri të madh të tyre gjatë verës së vitit 2021 i ka dhënë një shtytje pozitive ekonomisë së Kosovës.

Për të pasur një ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit, është e domosdoshme që remitancat e mërgatës të kanalizohen në investime të ndryshme, e jo të harxhohen në shpenzime vetëm për nevoja të konsumit. Gjithashtu ne kemi nevojë edhe për të mësuar më shumë nga mërgata kulturën e punës dhe mënyrën e të bërit biznes.

 

Domosdoshmëria e përkrahjes nga qeveria

 

Duke marrë parasysh edhe gjetjet e lartcekura për gjendjen e vështirë në të cilën kanë kaluar dhe po kalojnë bizneset, është e domosdoshme që ato të kenë përkrahje nga Qeveria e Kosovës.

Prej që ka filluar pandemia, Kosova ka ndërruar tri qeveri. Kjo ka bërë që të ketë ngecje edhe në përgatitjen e pakove për të ndihmuar sektorin privat. Deri më tani janë ndarë tri pako fiskale. Qëllimi i tyre ka qenë që të rritet likuiditeti i kompanive vendore, sidomos te kompanitë prodhuese dhe eksportuese.

Por tani nuk mund të vlerësohen efektet e tyre. Duhet kaluar më shumë kohë për të parë rezultatet që i kanë pasur bizneset. Këto pako janë përgatitur në mënyrë të shpejtë për shkak të situatës emergjente dhe sigurisht që zbatimi i tyre mund të ketë pasur ngecje. Në këtë kuadër, bizneset kanë pasur ankesa të ndryshme lidhur me këto pako. Kritika më të mëdha ka pasur gjatë qeverisë Hoti, kur përkrahja financiare ka shkuar më së shumti te marketet e mëdha (për shkak të numrit të madh të punëtorëve), ndërkaq dihet se ky lloj i biznesit nuk ka pasur humbje, përkundrazi ka pasur fitim më shumë se zakonisht. Kjo për faktin se në kohën e izolimit të plotë, qytetarët kanë blerë produkte, sidomos ato elementare për t’i mbajtur si rezerva.

Prandaj është e rëndësishme që të bëhet një analizë mbi sektorët që janë goditur më së shumti dhe mbi bazën e kësaj analize të ofrohet përkrahja. Megjithatë, një efekt është arritur shpejtë. Shumë punëtorë që kanë qenë të paregjistruar, janë formalizuar, pasi që një gjë e tillë ka qenë kusht për të përfituar nga pakot fiskale.

Në këtë periudhë kur po dalin variante të reja të Covid-19 dhe mund të ketë një valë të re të të infektuarve, ekonomia e Kosovës mund të pësojë goditje të radhës. Prandaj është e domosdoshme të përkrahet sektori privat, pasi që ky sektor e determinon zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Asset Publisher

comment-portlet

Asset Publisher

Asset Publisher